Çorovodë, Skrapar
11 Tetor 2025
Financuar me fonde grant nga Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC)
Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC) ka mbështetur me fonde grant organizimin e eventit “Skrapari në gotë”, një nismë e Bashkisë Skrapar që synon të promovojë prodhimet bujqësore, artizanale dhe kulturore të zonës, duke nxitur zhvillimin ekonomik vendor dhe turizmin rural.
Ky aktivitet, i cili u zhvillua në qytetin e Çorovodës, mblodhi prodhues dhe artizanë lokalë – gra, të rinj dhe sipërmarrës nga zonat rurale – të cilët patën mundësinë të ekspozojnë dhe të shesin produktet e tyre tradicionale, të promovojnë mjeshtëritë e trashëguara brez pas brezi dhe të krijojnë bashkëpunime të reja tregtare.
Qëllimi dhe objektivat e projektit
Qëllimi kryesor i këtij projekti është promovimi i produkteve bujqësore dhe ofertës turistike të Skraparit, në funksion të rritjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik të zonës.
Objektivat specifike përfshijnë:
• Rritjen e vizibilitetit të zonës dhe të ofertës së saj agroturistike;
• Krijimin e tregjeve të reja dhe më të qëndrueshme për prodhuesit lokalë;
• Nxitjen e sipërmarrjes së vogël dhe familjare në fushën e bujqësisë, artizanatit dhe turizmit;
• Rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore;
• Forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, prodhuesve dhe komunitetit lokal.
Rëndësia e mbështetjes nga Fondacioni ABC
Mbështetja financiare e Fondacionit ABC ka qenë thelbësore për realizimin e këtij aktiviteti. Përmes këtij financimi u siguruan burimet logjistike dhe organizative për zhvillimin e panairit, si hapësirat ekspozuese, materialet promovuese etj.
Përmes këtij financimi, Fondacioni ABC afirmon rëndësinë e bashkëpunimit me pushtetin vendor si mjet për nxitjen e zhvillimit lokal me ndikim të qëndrueshëm social e ekonomik.
Nëpërmjet mbështetjes së tillë, Fondacioni ABC kontribuon në ruajtjen e traditave lokale, nxitjen e sipërmarrjes së grave dhe të rinjve, si dhe në zhvillimin e zonave rurale me potencial të lartë agroturistik.

