1. Thirrje për Projekt-Propozim: Zhvillimi i sipërmarrjes rinore nëpërmjet trajnimeve dhe praktikave profesionale për ngritjen e një biznesi “start-up”, apo fuqizim të atyre të sapo ngritur.

FONDACIONI ABC fton subjektet e interesuara të paraqesin projekt-propozime mbi:

“Zhvillimin e sipërmarrjes rinore nëpërmjet trajnimeve dhe praktikave profesionale për ngritjen e një biznesi “start-up”, apo fuqizim të atyre të sapo ngritur”

Fondacioni ABC ka në objektivat e tij edhe nxitjen e sipërmarrjes tek të rinjtë, nëpërmjet këtij programi grant. Ndërkohë, kjo thirrje vjen si mbështetje për Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative 2024-2030, si dhe të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.

Në fokus të projekt-propozimeve do të duhet të jenë të rinj, të cilët kanë ide sipërmarrjeje por nuk veprojnë për të konkretizuar ato si pasojë e mungesës së iniciativës, njohurive të nevojshme apo burimeve materiale dhe financiare për të hedhur hapat e para. Ky program përfshin elemente të nxitjes së përfshirjes së të rinjëve në jetën social-ekonomike.

Thirrja adreson aspekte specifike për "nxitjen e sipërmarrjes rinore", të cilat mund të jenë të orientuara, përveç se në edukimin/formimin profesional edhe në nxitjen për sipërmarrje vetëpunësimi në shërbime apo njësi të vogla prodhimi. Për këtë mund të synohet, por jo vetëm:

  • Rritja e njohurive bazë për krijimin, financimin e një biznesi të ri, vlerat e kreativitetit, inovacionit etj.
  • Pas formimit të njohurive bazë dhe vlerësimit të pjesëmarrësve mbi njohuritë e marra të shprehura nëpërmjet një projekt ideje, do të vijohet me mbështetjen e pjesëmarrësve më të suksesshëm me hua preferenciale për iniciativat e tyre start up;
  • Sjellje e modeleve të suksesit për iniciativa të sipërmarrjes rinore.

Programi mund të bashkëpunoj dhe koordinohet me struktura publike, private apo vendore të shoqërisë civile, për të vlerësuar, ofruar aktivitetet e formimit dhe zbatimit të proçesit për projektimin dhe ngritjen e sipërmarrjes së synuar. 

Shënim: Fondi Limit për këtë thirrje është 750 000 Lekë, me një kohëzgjatje implementimi prej 3-4 muajsh.

Për të mësuar më shumë mbi FONDACIONIN ABC, mund të vizitoni faqen  www.abcfoundation.info, nga ku mund të tërhiqni edhe kopjen elektronike të formularit të  “Aplikimit“. Aplikantët janë të lutur të njihen me “Procedurën e plotë të Aplikimit” të paraqitur në Web të Fondacionit ABC. Projekt-propozimi duhet të paraqitet dorazi, dhe dërguar (apo shoqëruar) me kopje elektronike, si dhe me dokumentat shoqëruese të kërkuara (lista në website), deri më datën 22 Prill 2025, në adresën: Rruga “Dritan Hoxha”, Laprakë, Tiranë, Tel/Fax: +355 42 253 841. Ext: 1247.

Për informacione të nevojshme mbi programet dhe thirrjet e shpallura, mund të komunikoni me informacionin në adresën:  info@abcfoundation.info, ose në faqen:  Fondacioni Albanian Besa Capital | Facebook

Kthehu mbrapa