TË REJA

Ju jeni këtu

Faza e tretë e projektit “ART TURIZËM” përmbyllet me sukses në Kalanë e Tiranës!

Në datën 17 tetor 2025, Kalaja e Tiranës u mbush me ngjyra, traditë dhe art gjatë ekspozitës përmbyllëse të projektit “ART TURIZËM”, një nismë e zbatuar nga Shoqata Kombëtare për Integrim, Zhvillim dhe Ndihmë për Shtresat në Nevojë (SH.K.I.ZH) dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC), në kuadër të programit “Mbështetje financiare për Sipërmarrjen Femërore, orientuar në Biznesin Social”.

Kjo fazë finale përmblodhi punën disa mujore të 15 grave artizane nga rajoni i Kukësit, të cilat, pas trajnimeve profesionale dhe mbështetjes së marrë në kuadër të projektit, prezantuan punime unike artizanale – qilima, sixhade dhe produkte të tjera tradicionale, që mbartin trashëgimi, mjeshtëri dhe vlera të çmuara kulturore.

Ekspozita tërhoqi qindra vizitorë vendas dhe të huaj, duke u shndërruar në një hapësirë të gjallë ku artizanati, kultura dhe turizmi u bashkuan për të promovuar vlerat shqiptare dhe fuqinë krijuese të gruas.

✨ Projekti “ART TURIZËM” mbetet një histori suksesi për mënyrën se si artizanati tradicional dhe turizmi kulturor mund të ndërthuren për të ndërtuar mundësi të reja, për të ruajtur identitetin kulturor dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit social.

Financimi nga Fondacioni ABC i projektit “ART TURIZËM” dëshmon se investimi në talentin dhe aftësitë e grave krijon ndikim të qëndrueshëm social dhe ekonomik – një model frymëzues bashkëpunimi mes sektorit jofitimprurës dhe aktorëve lokalë.

Fondacioni Albanian Besa Capital është krenar të mbështesë projekte që nxisin fuqizimin ekonomik të grave, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale.

 

Lexo më shumë...

“Skrapari në Gotë” - Festa që bashkon shijen, traditën dhe mikpritjen shqiptare

 

Çorovodë, Skrapar
11 Tetor 2025
Financuar me fonde grant nga Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC)

Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC) ka mbështetur me fonde grant organizimin e eventit “Skrapari në gotë”, një nismë e Bashkisë Skrapar që synon të promovojë prodhimet bujqësore, artizanale dhe kulturore të zonës, duke nxitur zhvillimin ekonomik vendor dhe turizmin rural.

Ky aktivitet, i cili u zhvillua në qytetin e Çorovodës, mblodhi prodhues dhe artizanë lokalë – gra, të rinj dhe sipërmarrës nga zonat rurale – të cilët patën mundësinë të ekspozojnë dhe të shesin produktet e tyre tradicionale, të promovojnë mjeshtëritë e trashëguara brez pas brezi dhe të krijojnë bashkëpunime të reja tregtare.

Qëllimi dhe objektivat e projektit
Qëllimi kryesor i këtij projekti është promovimi i produkteve bujqësore dhe ofertës turistike të Skraparit, në funksion të rritjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik të zonës.

Objektivat specifike përfshijnë:
• Rritjen e vizibilitetit të zonës dhe të ofertës së saj agroturistike;
• Krijimin e tregjeve të reja dhe më të qëndrueshme për prodhuesit lokalë;
• Nxitjen e sipërmarrjes së vogël dhe familjare në fushën e bujqësisë, artizanatit dhe turizmit;
• Rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore;
• Forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, prodhuesve dhe komunitetit lokal.

Rëndësia e mbështetjes nga Fondacioni ABC
Mbështetja financiare e Fondacionit ABC ka qenë thelbësore për realizimin e këtij aktiviteti. Përmes këtij financimi u siguruan burimet logjistike dhe organizative për zhvillimin e panairit, si hapësirat ekspozuese, materialet promovuese etj.

Përmes këtij financimi, Fondacioni ABC afirmon rëndësinë e bashkëpunimit me pushtetin vendor si mjet për nxitjen e zhvillimit lokal me ndikim të qëndrueshëm social e ekonomik.

Nëpërmjet mbështetjes së tillë, Fondacioni ABC kontribuon në ruajtjen e traditave lokale, nxitjen e sipërmarrjes së grave dhe të rinjve, si dhe në zhvillimin e zonave rurale me potencial të lartë agroturistik.

Lexo më shumë...

Projekti “ART TURIZËM” – Faza e II-të

Projekti “ART TURIZËM” – Faza e II-të
Mbështetur nga Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC)

 

5 – 7 Shtator 2025
Atelie, Kukës

Shoqata Kombëtare për Integrim, Zhvillim dhe Ndihmë për Shtresat në Nevojë “SH.K.I.ZH”, me mbështetjen e Fondacionit ABC, organizoi një trajnim 3-ditor në kuadër të fazës së dytë të projektit “ART TURIZËM”, projekt i financuar me fonde grant nga Fondacioni ABC.

Projekti synon të promovojë figurën e gruas artizane dhe të krijojë mundësi për zhvillim profesional, social dhe ekonomik të grave në rajonin e Kukësit, duke mbështetur ngritjen e bizneseve dhe sipërmarrjeve sociale.
Përmes këtij projekti, punës artizanale të grave i jepet vëmendja e duhur në kuadër të biznesit social. Trajnimi ndihmon gratë artizane të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të orientohen drejt shitjes së produkteve artizanale në tregun turistik, duke i fuqizuar për të ndërtuar sipërmarrje sociale dhe ekonomike të qëndrueshme.

Qëllimi i trajnimit
Fuqizimi i figurës së gruas artizane dhe krijimi i mundësive për zhvillim profesional, social dhe ekonomik, në funksion të ngritjes së sipërmarrjes sociale në rajonin e Kukësit.

Objektivat kryesorë
• Zhvillimi profesional i 15 grave artizane për hartimin e një plani biznesi/sipërmarrjeje sociale-ekonomike;
• Pajisja me aftësi për marketingun dhe promovimin e produkteve artizanale;
• Nxitja e integrimit të produkteve artizanale në turizmin kulturor dhe artizanal.

✨ Rezultatet e arritura
• 15 gra artizane të trajnuara për hartimin dhe zbatimin e një plani biznesi;
• 15 gra artizane të aftësuara në teknikat e marketingut digjital dhe krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit.

Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të grave dhe zhvillimit të turizmit artizanal në Kukës, duke kontribuar në qëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale të komunitetit lokal.

Kontributi i projektit “ART TURIZËM”
Projekti synon të:
• Zhvillojë aftësitë profesionale të grave në rajonin e Kukësit;
• Shndërrojë potencialin artizanal në vlerë ekonomike;
• Nxisë pavarësinë financiare dhe rritjen e rolit të grave në familje dhe shoqëri;
• Ruajë dhe promovojë trashëgiminë kulturore të zonës.

 

 

Lexo më shumë...

FONDACIONI ALBANIAN BESA CAPITAL NË MBËSHTETJE TË SHOQATËS MIKROFINANCA SHQIPTARE

Fondacioni Albanian Besa Capital, në kuadër të misionit të tij për fuqizimin e sektorit të mikrofinancës në Shqipëri, ka vendosur të mbështesë me grant financiar Shoqatën Mikrofinanca Shqiptare, në funksion të rritjes së kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të infrastrukturës së saj.

Mbështetja financiare do të mundësojë mobilimin e ambienteve të reja të punës të Shoqatës, të cilat do të shërbejnë si qendër funksionale për aktivitetet që lidhen me zhvillimin e sektorit mikrofinanciar në vend. Këto ambiente do të krijojnë një hapësirë të përshtatshme për organizimin e trajnimeve, takimeve me partnerët, përfaqësues të institucioneve dhe përfituesit, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit dhe bashkëpunimit institucional. Kjo mbështetje do të forcojë më tej rolin e Shoqatës si një platformë bashkëpunuese dhe e qëndrueshme në zhvillimin e sektorit të mikrofinancës në Shqipëri.

Ky grant vjen si pjesë e angazhimit të Fondacionit ABC për të mbështetur iniciativat që forcojnë infrastrukturën dhe qëndrueshmërinë e aktorëve kyç në mikrofinancë, në funksion të përfshirjes sociale dhe financiare afatgjatë.

Urime Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare për këtë hap të rëndësishëm drejt një veprimtarie më të konsoliduar!

Lexo më shumë...

FONDACIONI ALBANIAN BESA CAPITAL MBËSHTET ME FONDE GRANT RIBRANDIMIN E "AGRO & SOCIAL FUND" SH.P.K.

 

 

Fondacioni Albanian Besa Capital, në kuadër të angazhimit të tij për mbështetjen e zhvillimit të mikrofinancës shqiptare, ka akorduar një grant financiar për “Agro & Social Fund” sh.p.k për realizimin e projektit: “Për ribrandimin dhe promovimin e imazhit të ri të ASF”

Ky projekt synon forcimin e identitetit vizual dhe përmirësimin e komunikimit institucional të “Agro & Social Fund”, si pjesë e përpjekjeve për të rritur ndikimin social dhe përfshirjen financiare në zonat rurale dhe komunitetet në nevojë.

Projekti është në linjë të plotë me prioritetet e Fondacionit ABC për të mbështetur:

• sektorin mikrofinanciar me mision social dhe impakt pozitiv në komunitet;
• zhvillimin rural dhe fuqizimin e grupeve të margjinalizuara;
• inovacionin në sektorin e ekonomisë sociale.

Ky grant do të luajë një rol kyç për të kaluar nga një fazë zhvillimi organik në një fazë profesionalizimi dhe rritjeje për ASF.

Përmes këtij granti, Fondacioni ABC vijon të qëndrojë pranë aktorëve të mikrofinancës, duke mbështetur iniciativat që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, fuqizimin social dhe ndërtimin e një sektori mikrofinanciar më të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt komunitetit.

Suksese “Agro & Social Fund” për këtë hap të rëndësishëm!

 

Lexo më shumë...

Projekti “ART TURIZËM” – Mbështetur nga Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC)

Në kuadër të programit të granteve për vitin 2025, Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC) ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në nxitjen dhe fuqizimin e sipërmarrjes femërore të orientuar drejt biznesit social, duke mbështetur projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e statusit social dhe ekonomik të grave në Shqipëri.

Një nga projektet fituese për këtë fushë është “ART TURIZËM”, i cili po implementohet në rajonin e Kukësit nga Shoqata Kombëtare për Integrim, Zhvillim dhe Ndihmë për Shtresat në Nevojë “SH.K.I.ZH”. Ky projekt ka si qëllim aftësimin dhe fuqizimin e 15 grave artizane nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, për të kthyer artizanatin tradicional në burim të qëndrueshëm të ardhurash dhe mjet për vetëpunësim.

Rëndësia e mbështetjes nga ABC:
Mbështetja financiare e Fondacionit ABC për këtë projekt përfaqëson jo vetëm një investim në kapacitetet e grave, por edhe një strategji të qëndrueshme për të zhvilluar ekonominë sociale në zonat më të margjinalizuara të vendit. Përmes kësaj mbështetjeje:

• Forcohet roli i gruas si sipërmarrëse sociale aktive;
• Promovohet dhe ruhet trashëgimia kulturore dhe artizanale shqiptare;
• Ndihmohet në zhvillimin e turizmit artizanal si pjesë e një ekonomie lokale të qëndrueshme.

Ndikimi i projektit:
Gratë pjesëmarrëse në implementimin e projektit përfitojnë aftësi të reja profesionale në fushën e artizanatit, rrisin aftësitë e tyre menaxhuese dhe sipërmarrëse në biznes, vetëbesimin, krijojnë rrjete bashkëpunimi dhe dalin nga izolimi ekonomik. Komuniteti lokal përfiton nga gjallërimi i traditës artizanale, ndërsa turistët pasurojnë përvojën e tyre kulturore në rajon. Ky projekt shërben si model për rritjen e pavarësisë ekonomike të gruas përmes formave alternative të zhvillimit, në përputhje me prioritetet strategjike të Fondacionit Albanian Besa Capital.

Lexo më shumë...

FONDACIONI ALBANIAN BESA CAPITAL NË MBËSHTETJE TË MIKROFINANCËS SHQIPTARE

Sektori mikrofinanciar në Shqipëri ka një rol thelbësor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke ofruar shërbime financiare të aksesueshme për individët dhe bizneset e vogla që shpesh janë përjashtuar nga sistemi tradicional bankar. Duke qenë se ky sektor ndihmon në përfshirjen financiare të grupeve vulnerabël, veçanërisht në zonat rurale dhe për sipërmarrësit me kapacitete të kufizuara financiare, Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC) synon të kontribuojë nëpërmjet mbështetjes financiare në formën e granteve për aktivitete të ndërtimit të kapaciteteve në sektorin e mikrofinancës. Ky program përfaqëson një ndër prioritetet kryesore të Fondacionit, duke njohur rëndësinë thelbësore që ka zhvillimi i qendrueshëm i kapaciteteve të institucioneve mikrofinanciare.

Në këtë kuadër, më datat 20-21 Maj 2025, pranë Zyrave Qendrore të Fondit Besa u zhvillua trajnimi me temë “Drejtimi, Menaxhimi Efektiv i Ekipit”, ku morën pjesë drejtuesit e 16 degëve rajonale dhe të Zyrës Qendrore. Gjatë sesioneve të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me tiparet kryesore të një drejtuesi të suksesshëm, mënyrat për zhvillimin e këtyre aftësive, si dhe teknikat konkrete për përfshirjen, motivimin dhe udhëheqjen efektive të ekipit drejt arritjes së rezultateve të synuara.

Me këtë iniciativë, Fondacioni ABC synon të kontribuojë në ndërtimin e një sektori mikrofinanciar më të fuqishëm, më transparent dhe më të orientuar drejt nevojave reale të komuniteteve që u shërben.

 

Lexo më shumë...

NEWSLETTER NO.5 “BUILDING COMMUNITIES OF KNOWLEDGE FOR COMPETITIVE MSE-S”

Aktivitetet kryesore të zhvilluara në kuadër të projektit “Building Communities of Knowledge for Competitive MSEs”- Skills for MSEs.

Lexo më shumë...