Çfarë Ofron
Fondacioni ABC, në harmoni të plotë me Misionin dhe Objektivat e tij, ka adresuar vëmendjen dhe ofron mbështetje konkrete në tre drejtime kryesore:
1. PËRMIRËSIM TË KLIMËS DHE KOMUNIKIMIT ME BIZNESIN
2. NDËRTIM KAPACITETESH, VEÇANËRISHT NË SEKTORIN E MIKROFINANCËS
3. MBËSHTETJE PËR GRUPET VULNERABËL, SHOQËRINË CIVILE DHE STRUKTURAT VENDORE
1. PËRMIRËSIM TË KLIMËS DHE KOMUNIKIMIT ME BIZNESIN
Fondacioni ABC synon të përmirësojë klimën e biznesit nëpërmjet të qenurit aktiv pranë dhe me biznesin, duke u përfshirë dhe trajtuar çështje të ndjeshme dhe me interes.
Në funksion të këtij qëllimi, Fondacioni organizon në mënyrë të planifikuar takime dhe komunikime të natyrës së konsultimeve apo debatit me grupet e interesit, sipas fushave dhe specifikave të tyre. Për më tepër, duke njohur zhvillimet dhe shqetësimet aktuale të komunitetit të biznesit, nëpërmjet iniciativave të tij bashkëpunuese, Fondacioni ABC synon të jetë më konkret dhe i dobishëm në mbështetje të përmirësimit të klimës së biznesit të vogël në Shqipëri. Me qëllim për të arritur rezultate sa më të kënaqshme, shfrytëzohen të gjitha komunikimet e mundshme me institucionet publike, shtetërore apo private, të cilat janë të përfshira aktivisht në jetën e biznesit në vend.
Duke marrë në konsideratë eksperiencat e mëparshme dhe nevojat aktuale, disa çështje të cilat synohen të diskutohen dhe konsultohen me komunitetin e biznesit dhe me aktorët e mikrofinancës janë:
- rregullat më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi mbikëqyrjen e aktivitetit të Institucioneve financiare jo-banka;
- kriza, fenomenet ekonomike dhe ndikimi në sektorin e mikrofinancës, masat e nevojshme për uljen e efekteve negative;
- krijimi dhe forcimi i mëtejshëm i partneritetit të qendrueshëm me komunitetin e biznesit lokal në disa zona të vendit.
Me interes vlerësohet edhe konsultimi i herëpashershëm midis institucioneve të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare (AMA) lidhur me aktivitetet e Institucioneve të mikrofinancës në Shqipëri, ndikimin e tyre në zhvillimin e biznesit të vogël dhe në rritjen e punësimit. Fondacioni ABC vlerëson se këto iniciativa dhe rezultatet e tyre do të mbështesin dhe orientojnë drejt zgjerimin e aktiviteteve të institucioneve të mikrofinancës pranë komunitetit të biznesit, në përgjigje të nevojave të tyre reale.
Mbështetja e Fondacionit ABC në përmirësimin e klimës së biznesit konkretizohet me realizimin e "programeve grant" të orientuara në fusha të ndjeshme për zhvillimin e biznesit të vogël në Shqipëri, si dhe për mbështetjen e iniciativave të zhvillimit social-ekonomik. Fusha e turizmit lokal, sipërmarrja kreative dhe sipërmarrja në agrobiznes, zhvillimi i inovacionit dhe teknologjisë për biznesin, biznesi social etj. janë disa prej fushave për të cilat Fondacioni ABC gjatë viteve ka shpallur thirrje të hapura për projekt-propozime konkrete, të cilat janë realizuar ose janë në proçes realizimi nga organizatat e shoqërisë civile apo strukturat e biznesit.
2. NDËRTIM KAPACITETESH NË SEKTORIN E MIKROFINANCËS
Fondacioni ABC mbështet rritjen e kapaciteteve të sipërmarrjes private në Shqipëri, të biznesit të vogël dhe të mesëm, si dhe në mënyrë të veçantë të aktorëve dhe partnerëve të sistemit të mikrofinancës. Ndërtimi kapaciteteve realizohet nëpërmjet ndërmarrjes së aktiviteteve të orientuara në studime ose kërkime, si dhe në zbatimin e rezultateve të tyre, në trajnime dhe promovime, konsulencë, etj.
TRAJNIME DHE PROMOVIME
Me qëllim që të mbështetet dhe nxitet një performancë sa më e mirë e aktorëve të përfshirë në fushën e mikrofinancës dhe mikrokreditimit të subjekteve të ndryshme të biznesit, si dhe për të qenë sa më efiçentë dhe të kualifikuar, trajnimi dhe kualifikimi i stafit respektiv do të vijojë të mbetet periodikisht shumë i nevojshëm dhe një objektiv i veçantë i aktiviteteve për ndërtimin e kapaciteteve.
Për më tepër, duke u mbështetur në objektivat e përcaktuara qartë në Statutin e Fondacionit ABC, mbështetja teknike dhe financiare e aktorëve të mikrofinancës, për marketingun, realizimin e promovimit dhe të përmirësimit të marrëdhënieve me publikun, do të mbetet një objektiv i rëndësishëm i ngritjes së kapaciteteve të tyre.
STUDIME DHE KËRKIME
Studimet dhe kërkimet orientohen dhe zhvillohen për çështje themelore të funksionimit dhe përmirësimit të aktiviteteve të institucioneve të mikrofinancës, evidentimin e faktorëve të cilët mund të nxisin zgjerimin e tregut të tyre, si dhe mbi impaktin social-ekonomik të ndërhyrjeve të tyre, etj.
KONSULENCË
Asistenca teknike dhe konsulenca të ndryshme do të jenë pjesë e mbështetjes që Fondacioni ABC ofron për Fondin BESA sh.a. dhe mikrofinancën, në funksion të nevojave të tyre dhe të një zhvillimi të qendrueshëm.
3. MBËSHTETJE PËR GRUPET VULNERABËL, SHOQËRINË CIVILE DHE STRUKTURAT VENDORE
Mbështetja e grupeve vulnerabël është një ndër misionet e rëndësishme të Fondacionit ABC, në përputhje të plotë me strategjinë e tij. Në përputhje me kapacitetet operacionale dhe në përgjigje të objektivave të tij për përmirësimin e jetës social-ekonomike në vend, Fondacioni mbështet veçanërisht grupet sociale më pak të mbrojtura të shoqerisë sonë, apo grupet vulnerabël si më poshtë:
- Gratë dhe vajzat;
- Fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit;
- Romët, Egjiptianët dhe etnitë e tjera;
- Grupe të tjera.
Komuniteti i grave apo vajzave, i të rinjve dhe të moshuarve, i pakicave rome ose etnive të tjera, etj, do të jenë në fokusin e përpjekjeve të Fondacionit ABC me synim përmirësimin e nivelit të jetesës dhe për rritjen e përfshirjes së këtyre grupeve në jetën aktive social-ekonomike në vend.
Një fenomen prezent jo vetëm në vendin tonë është se grupet vulnerabël zotërojnë realisht potenciale dhe kapacitete zhvillimi të pashfrytëzuara plotësisht. Me qëllim aktivizimin dhe gjallërimin e kapaciteteve të tyre, këto grupe kanë nevojë për informim, organizim, nxitje, ballafaqim me eksperienca të suksesshme dhe të pranueshme për ta. Në këtë kuadër, misioni i Fondacionit ABC realizohet nëpërmjet zhvillimit të iniciativave, aktiviteteve dhe projekteve konkrete, specifikisht për këto grupe. Nëpërmjet këtyre mekanizmave, iniciativave dhe projekteve të ndërmarra, Fondacioni ABC synon që këto grupe të jenë gjithmonë dhe më shumë të përfshira dhe të integruara me pjesën tjetër aktive të shoqërisë shqiptare.
Formimi për tema me interes për këto grupe, nxitja dhe mbështetja konkrete e tyre me fonde për të ndërmarrë një iniciativë të re biznesi, apo për të zhvilluar më tej aktivitetet akuale të biznesit të tyre, krijimi i partneriteteve të reja në biznes apo atyre institucionale, përfshirja në iniciativa të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e biznesit apo të zhvillimit social-ekonomik, do të vijojnë të përbëjnë platformën e aksioneve konkrete të Fondacionit ABC për këto grupe vulnerabël.
Përsa i përket biznesit, nëpërmjet "programeve grant" Fondacioni ABC ka shpallur në vazhdimësi thirrje të hapura, të adresuara në çështje të mprehta për këto grupe, si mbështetje për moshën e tretë, për femijët në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar, duke u dhënë mundësi organizatave të shoqërisë civile të hartojnë dhe realizojnë projekt-propozime realiste, në përkrahje të përmirësimit të statusit social-ekonomik të këtyre shtresave.