Projekti “ART TURIZËM” – Mbështetur nga Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC)
Në kuadër të programit të granteve për vitin 2025, Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC) ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në nxitjen dhe fuqizimin e sipërmarrjes femërore të orientuar drejt biznesit social, duke mbështetur projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e statusit social dhe ekonomik të grave në Shqipëri.
Një nga projektet fituese për këtë fushë është “ART TURIZËM”, i cili po implementohet në rajonin e Kukësit nga Shoqata Kombëtare për Integrim, Zhvillim dhe Ndihmë për Shtresat në Nevojë “SH.K.I.ZH”. Ky projekt ka si qëllim aftësimin dhe fuqizimin e 15 grave artizane nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, për të kthyer artizanatin tradicional në burim të qëndrueshëm të ardhurash dhe mjet për vetëpunësim.
Rëndësia e mbështetjes nga ABC:
Mbështetja financiare e Fondacionit ABC për këtë projekt përfaqëson jo vetëm një investim në kapacitetet e grave, por edhe një strategji të qëndrueshme për të zhvilluar ekonominë sociale në zonat më të margjinalizuara të vendit. Përmes kësaj mbështetjeje:
• Forcohet roli i gruas si sipërmarrëse sociale aktive;
• Promovohet dhe ruhet trashëgimia kulturore dhe artizanale shqiptare;
• Ndihmohet në zhvillimin e turizmit artizanal si pjesë e një ekonomie lokale të qëndrueshme.
Ndikimi i projektit:
Gratë pjesëmarrëse në implementimin e projektit përfitojnë aftësi të reja profesionale në fushën e artizanatit, rrisin aftësitë e tyre menaxhuese dhe sipërmarrëse në biznes, vetëbesimin, krijojnë rrjete bashkëpunimi dhe dalin nga izolimi ekonomik. Komuniteti lokal përfiton nga gjallërimi i traditës artizanale, ndërsa turistët pasurojnë përvojën e tyre kulturore në rajon. Ky projekt shërben si model për rritjen e pavarësisë ekonomike të gruas përmes formave alternative të zhvillimit, në përputhje me prioritetet strategjike të Fondacionit Albanian Besa Capital.