Faza e tretë e projektit “ART TURIZËM” përmbyllet me sukses në Kalanë e Tiranës!
Në datën 17 tetor 2025, Kalaja e Tiranës u mbush me ngjyra, traditë dhe art gjatë ekspozitës përmbyllëse të projektit “ART TURIZËM”, një nismë e zbatuar nga Shoqata Kombëtare për Integrim, Zhvillim dhe Ndihmë për Shtresat në Nevojë (SH.K.I.ZH) dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC), në kuadër të programit “Mbështetje financiare për Sipërmarrjen Femërore, orientuar në Biznesin Social”.
Kjo fazë finale përmblodhi punën disa mujore të 15 grave artizane nga rajoni i Kukësit, të cilat, pas trajnimeve profesionale dhe mbështetjes së marrë në kuadër të projektit, prezantuan punime unike artizanale – qilima, sixhade dhe produkte të tjera tradicionale, që mbartin trashëgimi, mjeshtëri dhe vlera të çmuara kulturore.
Ekspozita tërhoqi qindra vizitorë vendas dhe të huaj, duke u shndërruar në një hapësirë të gjallë ku artizanati, kultura dhe turizmi u bashkuan për të promovuar vlerat shqiptare dhe fuqinë krijuese të gruas.
✨ Projekti “ART TURIZËM” mbetet një histori suksesi për mënyrën se si artizanati tradicional dhe turizmi kulturor mund të ndërthuren për të ndërtuar mundësi të reja, për të ruajtur identitetin kulturor dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit social.
Financimi nga Fondacioni ABC i projektit “ART TURIZËM” dëshmon se investimi në talentin dhe aftësitë e grave krijon ndikim të qëndrueshëm social dhe ekonomik – një model frymëzues bashkëpunimi mes sektorit jofitimprurës dhe aktorëve lokalë.
Fondacioni Albanian Besa Capital është krenar të mbështesë projekte që nxisin fuqizimin ekonomik të grave, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale.




