FONDACIONI ALBANIAN BESA CAPITAL NË MBËSHTETJE TË MIKROFINANCËS SHQIPTARE
Sektori mikrofinanciar në Shqipëri ka një rol thelbësor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke ofruar shërbime financiare të aksesueshme për individët dhe bizneset e vogla që shpesh janë përjashtuar nga sistemi tradicional bankar. Duke qenë se ky sektor ndihmon në përfshirjen financiare të grupeve vulnerabël, veçanërisht në zonat rurale dhe për sipërmarrësit me kapacitete të kufizuara financiare, Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC) synon të kontribuojë nëpërmjet mbështetjes financiare në formën e granteve për aktivitete të ndërtimit të kapaciteteve në sektorin e mikrofinancës. Ky program përfaqëson një ndër prioritetet kryesore të Fondacionit, duke njohur rëndësinë thelbësore që ka zhvillimi i qendrueshëm i kapaciteteve të institucioneve mikrofinanciare.
Në këtë kuadër, më datat 20-21 Maj 2025, pranë Zyrave Qendrore të Fondit Besa u zhvillua trajnimi me temë “Drejtimi, Menaxhimi Efektiv i Ekipit”, ku morën pjesë drejtuesit e 16 degëve rajonale dhe të Zyrës Qendrore. Gjatë sesioneve të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me tiparet kryesore të një drejtuesi të suksesshëm, mënyrat për zhvillimin e këtyre aftësive, si dhe teknikat konkrete për përfshirjen, motivimin dhe udhëheqjen efektive të ekipit drejt arritjes së rezultateve të synuara.
Me këtë iniciativë, Fondacioni ABC synon të kontribuojë në ndërtimin e një sektori mikrofinanciar më të fuqishëm, më transparent dhe më të orientuar drejt nevojave reale të komuniteteve që u shërben.