Praktika në terren: Nga trashëgimia mesjetare tek mikpritja vendase në Zadrimë

Më datë 26 tetor 2026, Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT) vijoi praktikën në terren me të rinjtë e zonës, në kuadër të projektit për fuqizimin e komunitetit të Zadrimës në ofrimin e shërbimeve turistike dhe interpretimin e trashëgimisë kulturore.

Ndalesa e parë ishte Kalaja e Dejës (Danjës), një dëshmi e historisë mesjetare të zonës, e lidhur me rëndësinë strategjike të kësaj treve dhe rivalitetet politike të shekujve XIV–XV.

Udhëtimi vijoi drejt ishullit të Shurdhahut, ku ruhen rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës, një qendër e rëndësishme historike dhe fetare e Shqipërisë së veriut. Fortifikimet dhe gjurmët e kishave dëshmojnë vlerat arkeologjike të këtij vendbanimi, sot i rrethuar nga ujërat e liqenit të Vaut të Dejës.

Praktika përfshiu edhe Kullën e Zefit Agroturizëm në Hajmel dhe bujtinën “N’fjetore te Mjedrat e Danjës”, ku të rinjtë u njohën me mundësitë që ofrojnë mikpritja familjare, gastronomia dhe sipërmarrjet vendase për zhvillimin e turizmit rural.

Trashëgimia, natyra dhe traditat lokale përbëjnë një potencial të rëndësishëm për krijimin e itinerareve turistike autentike dhe të qëndrueshme, ku komuniteti luan një rol aktiv në prezantimin e vlerave të zonës.

Projekti “Fuqizimi i Komunitetit të Zadrimës në Ofrimin e Shërbimeve Turistike dhe Interpretimin e Trashëgimisë Kulturore” financohet nga Fondacioni Albanian Besa Capital dhe zbatohet nga IETT Albania.

Lajme

Artikuj të ngjashëm

NextGen Entrepreneurs – Trajnimi i Katërt: Planifikimi dhe Menaxhimi Financiar

Praktika në terren: Eksplorimi i potencialeve turistike të Zadrimës

Nga trashëgimia te përvoja turistike në Zadrimë