Më datë 24 tetor 2026, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës (UET), u zhvillua trajnimi i katërt në kuadër të programit “NextGen Entrepreneurs – Program Mentorimi dhe Financimi për të Rinj”, me fokus planifikimin dhe menaxhimin financiar të një biznesi.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me konceptet dhe elementet kryesore të menaxhimit financiar, duke përfshirë identifikimin e kostove fillestare dhe operative, përcaktimin e çmimeve, llogaritjen e marzhit të fitimit dhe të pikës së barazimit, si dhe planifikimin e fluksit të parasë (cash flow). Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së planifikimit financiar, kontrollit të shpenzimeve dhe administrimit efikas të burimeve financiare si elemente thelbësore për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e një biznesi.
Përmes ushtrimeve praktike, të rinjtë patën mundësinë të zbatonin njohuritë e marra mbi modelet e tyre të biznesit, duke punuar për hartimin e një parashikimi financiar tre-mujor dhe identifikimin e nevojave financiare për fazat e ardhshme të zhvillimit. Këto aktivitete synojnë t’i aftësojnë pjesëmarrësit të vlerësojnë qëndrueshmërinë ekonomike të ideve të tyre, të planifikojnë më mirë burimet në dispozicion dhe të marrin vendime të informuara për zhvillimin e sipërmarrjeve të tyre.
Programi “NextGen Entrepreneurs” zbatohet nga Instituti Liberal i Tiranës “Pashko” (ILP), me mbështetjen e Fondacionit Albanian Besa Capital (ABC), dhe synon fuqizimin e të rinjve përmes trajnimit praktik, mentorimit dhe mbështetjes për zhvillimin e ideve inovative dhe të qëndrueshme sipërmarrëse.


