Në kuadër të projektit “Hapat e Sigurt – Program Veror për Përmirësimin e Statusit Social-Ekonomik të Fëmijëve në Nevojë në Bashkinë Elbasan”, takimet me prindërit kanë përbërë një komponent të rëndësishëm të ndërhyrjes, me fokus forcimin e mbështetjes familjare dhe promovimin e mirëqenies dhe zhvillimit të fëmijëve.
Gjatë muajve korrik dhe gusht 2026, janë zhvilluar takime me prindër, ku është diskutuar mbi rëndësinë e arsimit, frekuentimit të rregullt të shkollës dhe rolit të familjes në mbështetjen e fëmijëve gjatë procesit të të nxënit. Këto takime kanë krijuar hapësira për komunikim dhe ndërveprim me familjet, duke nxitur një angazhim më të madh të tyre në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe takimeve individuale me familjet. Përmes këtyre takimeve është synuar identifikimi dhe adresimi i nevojave specifike të familjeve, si dhe informimi i tyre mbi mundësitë dhe shërbimet sociale që mund të kontribuojnë në përmirësimin e situatës së tyre social-ekonomike.
Qasja e projektit thekson rëndësinë e një mbështetjeje të integruar për fëmijët, ku familja, shkolla dhe shërbimet mbështetëse bashkëpunojnë për të krijuar një mjedis sa më të favorshëm për edukimin, përfshirjen dhe zhvillimin e tyre.
Fondacioni ABC mbështet iniciativa që synojnë fuqizimin e fëmijëve dhe familjeve në nevojë, promovimin e përfshirjes sociale dhe krijimin e mundësive më të mira për zhvillimin e tyre.
Projekti “Hapat e Sigurt – Program Veror për Përmirësimin e Statusit Social-Ekonomik të Fëmijëve në Nevojë në Bashkinë Elbasan” zbatohet nga Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER), me mbështetjen financiare të Fondacionit ABC.
Rreth projektit
“Hapat e Sigurt” është një program i fokusuar në mbështetjen e fëmijëve në nevojë dhe familjeve të tyre në Bashkinë Elbasan. Përmes aktiviteteve dhe ndërhyrjeve të parashikuara, projekti synon të kontribuojë në përmirësimin e statusit social-ekonomik të fëmijëve, forcimin e mbështetjes familjare dhe rritjen e aksesit në mundësi dhe shërbime që ndihmojnë në zhvillimin dhe përfshirjen e tyre sociale.