Trajnim dy-ditor për interpretimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore

Më 2–3 tetor 2026, në Njësinë Administrative Bushat, u zhvillua trajnimi dy-ditor “Interpretimi i Trashëgimisë”, i organizuar nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), në bashkëpunim me Zyrën e Turizmit të Bashkisë Vau i Dejës, me pjesëmarrjen e komunitetit lokal nga zona e Zadrimës.

Trajnimi u fokusua në zhvillimin e njohurive dhe aftësive të komunitetit lokal për interpretimin dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, historisë dhe traditave të Zadrimës, me synim krijimin e përvojave sa më tërheqëse dhe kuptimplota për vizitorët.

Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime, shembuj konkretë dhe ushtrime praktike, duke eksploruar mënyra të ndryshme për të përcjellë historinë dhe vlerat e territorit përmes teknikave të interpretimit të trashëgimisë. Përmes kësaj qasjeje, trashëgimia lokale trajtohet jo vetëm si një pasuri për t’u ruajtur, por edhe si një mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe fuqizimin e komunitetit.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Komunitetit të Zadrimës në Ofrimin e Shërbimeve Turistike dhe Interpretimin e Trashëgimisë Kulturore”, financuar nga Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC) dhe zbatuar nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT).

Nëpërmjet mbështetjes së këtij projekti, Fondacioni ABC vijon të kontribuojë në nisma që synojnë fuqizimin e komuniteteve lokale, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e mundësive të reja në fushën e turizmit, duke nxitur përfshirjen e komunitetit në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të territorit.

Trajnimi përbën një tjetër hap në drejtim të krijimit të kapaciteteve lokale dhe të një qasjeje më të qëndrueshme ndaj promovimit të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të turizmit në zonën e Zadrimës.

Lajme

Artikuj të ngjashëm

NextGen Entrepreneurs zhvillon trajnimin e parë mbi idetë e biznesit

Rezultatet e Projektit “Hapat e Sigurt – Program Veror për Përmirësimin e Statusit Social-Ekonomik të Fëmijëve në Nevojë në Bashkinë Elbasan”

ZADRIMA….HISTORIA JOTE….ZËRI YT