Thirrje për Projekt-Propozim: Programe Grant për nevojat e moshës së tretë.

Fondacioni ABC shpall hapjen e Thirrjes për Aplikim në kuadër të Programit të Granteve mbi:

“Përmirësimin e cilësisë së jetës, aktivizimin social dhe mirëqenien e personave të moshës së tretë”

Shqipëria po përjeton efektet e moshimit të popullsisë, si pasojë e rritjes së jetëgjatësisë, rënies së fertilitetit dhe emigracionit të moshave të reja. Në këtë kontekst, rritet nevoja për mbështetje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për personat e moshës së tretë, me qëllim garantimin e një jete dinjitoze dhe pjesëmarrjeje aktive në shoqëri.

Në përgjigje të këtyre sfidave, Fondacioni ABC do të zbatojë gjatë vitit 2026 një program granti të dedikuar për moshën e tretë, që synon përmirësimin e kushteve të jetesës, aktivizimin social dhe përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së tyre.

Kujdesi ndaj moshës së tretë është tregues i funksionimit të sistemit të demokracisë, është detyrim social, publik dhe familjar. Ai është kusht thelbësor për krijimin e një “shoqërie pa moshë” dhe aktive në çdo nivel. Për të lehtësuar statusin e kësaj kategorie shoqërore, përveç programeve të sistemit publik, rol të veçantë ka dhe shoqëria civile.

Fondacioni ABC nëpërmjet këtij programi grant mbështet iniciativat e shoqërisë civile, të cilat do të kenë si qëllim:

    • përmirësimin e jetës së kësaj kategorie;

    • nxitjen e aktivitetit social dhe integrimit të tyre në komunitet;

    • zhvillimin e programeve arsimore, rekreative dhe kulturore që promovojnë aktivizimin fizik, mendor dhe kreativitetin.

Në këtë program mirëpriten projekt-propozime të cilat do të kenë impakt konkret mbi grupimet e synuara, pra të moshuarit në kushte të disfavorshme. Programi mund të realizohet në bashkëpunim me Organizata joqeveritare dhe shoqata në nivel lokal dhe kombëtar, Institucione sociale, komunitare dhe edukative me projekte të dedikuara për moshën e tretë, bashkëpunime ndërmjet institucioneve vendore dhe organizatave për iniciativa inovative.

Fondi Limit për këtë thirrje është 700 000 Lekë, me një kohëzgjatje implementimi prej 3-4 muajsh.

__________________________________________________________________________________________

Aplikantët janë të lutur të njihen paraprakisht me procedurat e aplikimit për grante, të publikuara në seksionin “Grante” në faqen zyrtare: www.abcfoundation.info, përpara përgatitjes dhe dorëzimit të projekt-propozimit.

Për të aplikuar, shkarkoni formularin e “Aplikimit”, i cili përmban edhe listën e dokumenteve shoqëruese të nevojshme për dorëzim (për të shkarkuar formularin, klikoni mbi fjalën aplikim).

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 21 Tetor 2026.

Aplikimet duhet të dorëzohen në adresën:

Rruga “Dritan Hoxha”, Laprakë, Tiranë

Kopja elektronike duhet të dërgohet në adresën e e-mailit: info@abcfoundation.info

Për informacione shtesë mbi programet dhe thirrjet e shpallura, mund të kontaktoni në adresën e-mail: info@abcfoundation.info ose të vizitoni faqen në Facebook: Fondacioni Albanian Besa Capital

 

Lajme

Artikuj të ngjashëm

Thirrje për Projekt-Propozim: Mbështetjen e sipërmarrjes femërore orientuar në Biznesin Social, me synim përmirësimin e statusit social-ekonomik të tyre. 

Thirrje për Projekt-Propozim: Promovimi i projekteve që ndërthurin zhvillimin ekonomik me ruajtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore.