Fondacioni ABC ka lidhur kontratën e grantit me ILP-në për zbatimin e projektit “NextGen Entrepreneurs – Program Mentorimi dhe Financimi për të Rinj”, projekt fitues i përzgjedhur në kuadër të thirrjes së hapur për projekt-propozime për nxitjen dhe zhvillimin e sipërmarrjes rinore dhe ngritjen e bizneseve të reja (start-up).
Në kuadër të programit të tij të mbështetjes së iniciativave me ndikim social dhe ekonomik, Fondacioni ABC financoi përmes një procesi konkurrues organizata të shoqërisë civile që kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve dhe fuqizimin e grupeve të ndryshme përfituese. Projekti i propozuar nga Instituti Liberal i Tiranës “PASHKO” u përzgjodh fitues falë fokusit të tij në nxitjen e sipërmarrjes rinore dhe krijimin e mundësive konkrete për zhvillimin profesional të të rinjve.
Projekti “NextGen Entrepreneurs” synon të mbështesë 20–25 të rinj nga e gjithë Shqipëria përmes një programi të integruar trajnimi, mentorimi dhe zhvillimi të ideve të biznesit. Pjesëmarrësit do të përfitojnë njohuri praktike në sipërmarrje, marketing, inovacion dhe menaxhim financiar, ndërsa idetë më premtuese do të zhvillohen në plane konkrete biznesi.
Në përfundim të programit do të organizohet aktiviteti Pitch Day, ku pjesëmarrësit do të prezantojnë projekt-idetë e tyre para një jurie profesioniste. Ideja fituese do të përfitojë një grant fillestar prej 100,000 lekësh, duke krijuar një mundësi reale për transformimin e saj në një sipërmarrje të qëndrueshme.
Përmes mbështetjes së këtij projekti, Fondacioni ABC riafirmon angazhimin e tij për të investuar në potencialin e të rinjve shqiptarë, duke promovuar inovacionin, vetëpunësimin dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.