Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC) ka lidhur kontratën e grantit me Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT) për zbatimin e projektit “Fuqizimi i Komunitetit të Zadrimës në Ofrimin e Shërbimeve Turistike dhe Interpretimin e Trashëgimisë Kulturore”, projekt fitues i përzgjedhur në kuadër të thirrjes së hapur për forcimin e kapaciteteve turistike.
Nëpërmjet Programit të Granteve, Fondacioni ABC mbështet iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal, fuqizimin e komuniteteve dhe promovimin e potencialeve të qëndrueshme të zonave rurale. Ky projekt synon të fuqizojë të rinjtë, bartësit e trashëgimisë kulturore, artizanët dhe familjet lokale për të ofruar shërbime turistike cilësore të bazuara në identitetin dhe traditat e zonës. Përmes identifikimit dhe dokumentimit të vlerave kulturore, trajnimeve praktike, mentorimit në terren dhe bashkëkrijimit të një itinerari kulturor, projekti do të ndërtojë kapacitete të qëndrueshme për zhvillimin e turizmit kulturor në Zadrimë.
Gjatë zbatimit të projektit do të realizohen aktivitete për identifikimin dhe dokumentimin e praktikave tradicionale, trajnime për interpretimin e trashëgimisë dhe ofrimin e shërbimeve turistike, coaching praktik në terren, zhvillimi i një itinerari kulturor si dhe organizimi i një vizite testuese me operatorë turistikë për promovimin dhe integrimin e ofertës së re turistike në treg.
Përfituesit kryesorë të projektit do të jenë të rinjtë e Zadrimës, bartësit e trashëgimisë kulturore, artizanët, familjet lokale dhe komuniteti i gjerë, të cilët do të kenë mundësi të krijojnë dhe ofrojnë produkte e eksperienca turistike që gjenerojnë të ardhura dhe promovojnë identitetin kulturor të zonës. Përmes mbështetjes së këtij projekti, Fondacioni ABC kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, fuqizimin ekonomik të komuniteteve lokale dhe krijimin e modeleve të qëndrueshme të zhvillimit që ndërthurin kulturën, turizmin dhe sipërmarrjen lokale.