Fondacioni ABC financon projektin fitues për përmirësimin e statusit social-ekonomik të fëmijëve në nevojë

Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC) ka lidhur kontratën e grantit me Lëvizjen Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER) për zbatimin e projektit “Hapat e Sigurt: Program Veror për Përmirësimin e Statusit Social-Ekonomik të Fëmijëve në Nevojë në Bashkinë Elbasan”, projekt fitues i përzgjedhur në kuadër të thirrjes së hapur për projekt-propozime për përmirësimin e statusit social-ekonomik të fëmijëve në nevojë.

Përmes procesit konkurrues të grantdhënies, Fondacioni ABC mbështet iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin social, përfshirjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së grupeve më vulnerabël. Projekti i organizatës LRER është vlerësuar për qasjen e tij të integruar në mbështetjen e fëmijëve në nevojë dhe familjeve të tyre, duke adresuar njëkohësisht sfidat arsimore dhe sociale.

Projekti synon të përmirësojë statusin social-ekonomik dhe edukativ të 30 fëmijëve të klasave 4–5 nga komunitetet rome dhe egjiptiane në Bashkinë Elbasan, përmes një programi veror tre-mujor që kombinon mbështetjen akademike, aktivitetet sociale dhe përfshirjen aktive të familjeve.

Gjatë zbatimit të projektit, fëmijët do të përfitojnë mbështetje në lexim, shkrim dhe matematikë, si dhe do të angazhohen në aktivitete sociale dhe edukative që synojnë rritjen e motivimit, integrimit dhe vijimësisë së tyre në sistemin arsimor. Paralelisht, prindërit do të orientohen drejt shërbimeve sociale dhe mundësive të punësimit, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të familjeve.

Përmes kësaj mbështetjeje, Fondacioni ABC synon të kontribuojë në reduktimin e rrezikut të braktisjes shkollore, rritjen e përfshirjes arsimore dhe krijimin e mundësive më të mira për zhvillimin e fëmijëve që përballen me sfida sociale dhe ekonomike.

Fondacioni ABC mbetet i angazhuar në mbështetjen e projekteve që krijojnë ndikim të qëndrueshëm në komunitet dhe që promovojnë barazinë e mundësive, përfshirjen sociale dhe zhvillimin njerëzor.

Lajme

Artikuj të ngjashëm

Fondacioni ABC fton të rinjtë të aplikojnë në programin “NextGen Entrepreneurs”.

Fondacioni ABC mbështet projektin fitues për zhvillimin e turizmit kulturor në Zadrimë

Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC) financon projektin fitues të Institutin Liberal të Tiranës “PASHKO” (ILP) për nxitjen e sipërmarrjes rinore