Mesazhi Prof. Asoc. Dr. Bajram MUÇAJ
Të dashur miq, sipërmarrës dhe partnerë,
Sipërmarrja private shqiptare dhe komuniteti kanë qenë gjithmonë prioritet në atë çfarë bëjmë!
Nëpërmjet këtij mesazhi kam kënaqësinë e veçantë t`ju informoj se Fondacioni Albanian Besa Capital (Fondacioni ABC) është një institucion i krijuar në vitin 2008 si një organizëm jofitimprurës, i cili operon si mekanizëm në mbështetje të sipërmarrjes private, veçanërisht të biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri. Pas rënies së regjimit komunist, një nga sfidat më të vështira të Shqipërisë ka qenë përshtatja nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi tregu të lirë. Në këtë kuadër, Fondacioni ABC lindi si nevojë për t’ju përgjigjur kërkesave të komunitetit të biznesit për rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve të tyre teknike dhe manaxhuese, si dhe të përfshirjes aktive në iniciativa dhe projekte zhvillimi, të ndërmarra në partneritet me aktorët e ndryshëm në shërbim të biznesit.
Për më tepër, Fondacioni ABC synon të harmonizojë kapacitetet në rritje të sipërmarrjes private në Shqipëri me iniciativat nxitëse të institucioneve publike dhe private, ekonomike dhe financiare në mbështetje të zhvillimit të sipërmarrjes private. Lindja dhe funksionimi i Fondacionit ABC u bë realitet pikërisht në kohën kur Fondi BESA sh.a. përballoi me sukses një nga sfidat më të rëndësishme institucionale, atë të transformimit në një institucion të formës “shoqeri aksionare”. Në këtë kuadër, Fondacioni ABC do të vijojë të jetë padyshim një mbështetës dhe nxitës aktiv i zhvillimit të aktiviteteve të harmonizuara teknike dhe financiare të Fondit BESA sh.a. dhe të sistemit të mikrofinancës në vend.
Prej vitit 2010, Fondacioni ABC ka ndërmarrë dhe realizuar mjaft iniciativa specifike në mbështetje të sipërmarrjes private, biznesit dhe shoqërisë civile shqiptare. Nëpërmjet kësaj faqe web-i dhe mekanizmave të tjerë informues dhe transparent, promovohen dhe janë ofruar periodikisht programe dhe projekte, prej të cilave përfitojnë në formën e “grantit” ose/dhe të bashkëfinancimit shoqeria civile, sipërmarrësit shqiptar dhe komuniteti i biznesit. Këto projekte adresohen plotësisht në funksion të nevojave specifike, të cilat kanë dhe do të kenë vetë subjektet/organizatat, si ato private ose publike.
Duke qenë se ngritja e kapaciteteve është një faktorë thelbësor për rritje ekonomike, Fondacioni ABC ndërmerr iniciativa në këtë kuadër, nëpërmjet takimeve, trajnimeve, konsulencave, kërkimeve etj, ku adresohen çështje të ndjeshme për komunitetin e biznesit si:
- rritja e bashkëpunimit të komunitetit të biznesit me sistemin e mikrofinancës;
- vlerësimi i çështjeve të prekshme për biznesin në kuadër të krizave/problematikave të fundit dhe përballimi i tyre;
- nevojat aktuale dhe të perspektivës të komunitetit të biznesit dhe përshtatja ndaj këtyre nevojave;
- prodhimi i rezultateve analitike sektoriale dhe orientuese, etj.
Të dashur miq, sipërmarrës dhe partnerë, gjatë gjithë ekzistencës së saj, Fondacioni ABC është shoqëruar nga misioni i saj social për nxitjen dhe mbështetjen e sipërmarrjes vendase, shoqërisë civile dhe grupeve vulnerabël. Duke besuar plotësisht në vlerat e misionit dhe të shërbimeve që Fondacioni Albanian Besa Capital ofron, më lejoni të shpreh përkushtimin tim të plotë, si dhe të institucionit, për të qenë vazhdimisht pranë sipërmarrjes private shqiptare dhe nevojave të saj.
Sinqerisht,
Prof. Asoc. Dr. Bajram MUÇAJ
Drejtor Ekzekutiv