Mesazhi nga CEO

Mesazhi Prof. Asoc. Dr. Bajram MUÇAJ

Të dashur miq, sipërmarrës dhe partnerë,

Sipërmarrja private shqiptare dhe komuniteti kanë qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së asaj që bëjmë.

Kam kënaqësinë t’ju informoj se Fondacioni Albanian Besa Capital (Fondacioni ABC) është një institucion i krijuar në vitin 2008 si organizatë jofitimprurëse, i cili operon si një mekanizëm në mbështetje të sipërmarrjes private, veçanërisht të biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri.

Pas rënies së regjimit komunist, një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë ishte kalimi nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi të tregut të lirë. Në këtë kuadër, Fondacioni ABC u krijua si një përgjigje ndaj nevojës së komunitetit të biznesit për rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve teknike dhe menaxheriale, si dhe për përfshirjen aktive në iniciativa dhe projekte zhvillimi të realizuara në partneritet me aktorë të ndryshëm në shërbim të sipërmarrjes.

Fondacioni ABC synon gjithashtu të harmonizojë kapacitetet në rritje të sipërmarrjes private në Shqipëri me iniciativat e institucioneve publike dhe private, ekonomike dhe financiare, në mbështetje të zhvillimit të biznesit. Krijimi dhe funksionimi i Fondacionit ABC u bë realitet në një moment të rëndësishëm institucional për Fondin BESA sh.a., i cili përfundoi me sukses procesin e transformimit në një shoqëri aksionare. Në këtë kuadër, Fondacioni ABC vijon të jetë një mbështetës dhe nxitës aktiv i zhvillimit të aktiviteteve teknike dhe financiare të harmonizuara me Fondin BESA sh.a. dhe me sistemin e mikrofinancës në vend.

Që prej vitit 2010, Fondacioni ABC ka ndërmarrë dhe realizuar një sërë iniciativash në mbështetje të sipërmarrjes private, biznesit dhe shoqërisë civile shqiptare. Nëpërmjet kësaj faqeje web dhe mekanizmave të tjerë transparentë informimi, promovohen dhe ofrohen periodikisht programe dhe projekte, nga të cilat përfitojnë organizata të shoqërisë civile, sipërmarrës shqiptarë dhe komuniteti i biznesit, në formën e granteve dhe/ose bashkëfinancimit. Këto iniciativa janë të orientuara drejt adresimit të nevojave konkrete të organizatave dhe subjekteve private apo publike.

Duke qenë se ngritja e kapaciteteve është një faktor thelbësor për zhvillimin ekonomik, Fondacioni ABC ndërmerr iniciativa të ndryshme përmes takimeve, trajnimeve, konsulencave dhe studimeve kërkimore. Nëpërmjet tyre adresohen çështje të rëndësishme për komunitetin e biznesit, si:

  • rritja e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit të biznesit dhe sistemit të mikrofinancës;

  • identifikimi dhe adresimi i sfidave me të cilat përballet biznesi në kontekstin e krizave dhe zhvillimeve ekonomike;

  • analiza e nevojave aktuale dhe perspektive të sipërmarrjes shqiptare;

  • prodhimi i studimeve dhe analizave sektoriale orientuese për zhvillimin e biznesit.

Të dashur miq, sipërmarrës dhe partnerë, gjatë gjithë veprimtarisë së tij, Fondacioni ABC është udhëhequr nga misioni i tij social për nxitjen dhe mbështetjen e sipërmarrjes vendase, të shoqërisë civile dhe të grupeve në nevojë.

Duke besuar plotësisht në vlerat dhe misionin e Fondacionit Albanian Besa Capital, më lejoni të shpreh përkushtimin tim të plotë, si dhe të institucionit që përfaqësoj, për të qenë vazhdimisht pranë sipërmarrjes private shqiptare dhe nevojave të saj për zhvillim dhe rritje.

Sinqerisht,
Prof. Asoc. Dr. Bajram MUÇAJ
Drejtor Ekzekutiv