Përfundon kampi veror “Hapat e Sigurt” – një hapësirë për të mësuar dhe ndërtuar më shumë besim

Java e fundit e kampit veror, në kuadër të projektit “Hapat e Sigurt – Program Veror për Përmirësimin e Statusit Social-Ekonomik të Fëmijëve në Nevojë në Bashkinë Elbasan”, u shoqërua me aktivitete të ndryshme edukative, sociale dhe artistike, duke krijuar për fëmijët momente të bukura dhe mundësi për të shprehur aftësitë dhe talentet e tyre.

Një nga momentet më të veçanta të kësaj jave ishte aktiviteti artistik i përgatitur dhe realizuar nga vetë fëmijët, të cilët interpretuan këngë, kërcime, poezi, pjesë me instrumente muzikore dhe performanca të tjera artistike. Përtej aspektit argëtues, ky aktivitet u dha fëmijëve mundësinë të shfaqnin talentet e tyre, të zhvillonin kreativitetin, të fitonin më shumë siguri në vetvete dhe të ndiheshin të vlerësuar për përpjekjet dhe angazhimin e tyre.

Më datë 4 Shtator 2026, kampi u përmbyll me një ceremoni të veçantë vlerësimi dhe mbështetjeje për fëmijët pjesëmarrës. Në këtë kuadër u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave të vlerësimit, ku, krahas ekipit zbatues të projektit, ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi nga Fondacioni Albanian Besa Capital (ABC), së bashku me përfaqësues të Shkollës “Abdyl Paralloi” dhe prindër të fëmijëve pjesëmarrës.

Prania e këtyre aktorëve në ceremoninë përmbyllëse përcolli një mesazh të rëndësishëm mbi vlerën e bashkëpunimit ndërmjet organizatës zbatuese, shkollës, familjeve dhe aktorëve që mbështesin nisma në funksion të edukimit dhe përfshirjes sociale të fëmijëve.

Certifikatat iu dorëzuan fëmijëve në shenjë vlerësimi për angazhimin, përkushtimin dhe pjesëmarrjen e tyre gjatë kampit veror. Ky moment shërbeu si një vlerësim simbolik për përpjekjet e tyre dhe për hapat që ata kanë ndërmarrë gjatë programit në drejtim të edukimit, rritjes së vetëbesimit dhe përfshirjes në aktivitete të përbashkëta.

Në të njëjtën ditë u realizua edhe shpërndarja e bazës materiale shkollore, me synim mbështetjen e fëmijëve në vijimin e procesit mësimor dhe përgatitjen e tyre për vitin e ri shkollor.

Për Fondacionin ABC, mbështetja e fëmijëve dhe familjeve në nevojë është pjesë e angazhimit për të nxitur përfshirjen sociale dhe për të krijuar mundësi më të mira për zhvillim. Projekti “Hapat e Sigurt” është një shembull i rëndësishëm i mbështetjes së iniciativave që vendosin në qendër fëmijët, zhvillimin e tyre dhe krijimin e mundësive për një të ardhme më të mirë.

“Hapat e Sigurt” ishte më shumë se një kamp veror. Përmes aktiviteteve të zhvilluara, fëmijët patën mundësi të mësojnë, të bashkëpunojnë, të shprehen, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të fitojnë më shumë besim tek vetja.

Përmes mbështetjes së këtij projekti, Fondacioni ABC synon të kontribuojë në krijimin e mundësive konkrete për fëmijët në nevojë dhe në forcimin e mbështetjes që ata marrin për edukimin, zhvillimin dhe përfshirjen e tyre në komunitet.

Sepse çdo fëmijë meriton mundësinë për të mësuar, për t’u zhvilluar, për të shprehur talentin e tij dhe për t’u ndier i vlerësuar.

Lajme

Artikuj të ngjashëm

Afati i aplikimeve për “NextGen Entrepreneurs” shtyhet deri më 11.09.2026!

Takimet me prindërit, një hap i rëndësishëm për mbështetjen e fëmijëve në nevojë në Bashkinë Elbasan

Kampi “Hapat e Sigurt” – Një hapësirë për të mësuar, krijuar dhe bashkëpunuar